Historiani dhe eksperti gjerman për Europën Juglindore, Prof. Dr. Ulf Brunnbauer, njëherësh edhe shef i Institutit të Lajbnizit për Studime të Euopës Lindore dhe Juglindore, ka kritikuar ashpër veton bullgare kundrejt Maqedonisë së Veriut, përkundër që historikisht, sipas tij mund të thuhet se Maqedonia e Veriut është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, por njëherësh për shumë kombe ndjenjat kombëtare dhe të shtetndërtimit kanë filluar në shekullin e XIX-të.
Për median zvicerane NZZ, kritika e tij për veton bullgare, bazohet në të ardhmen e rajonit fragjil ballkanik, ku sipas tij mund të shpërthejë edhe në konflikte.
“Procesi i zgjerimit europian është bërë shumë i pabesueshëm, frustrimi në Maqedoninë Veriore është rritur. Kjo është e rrezikshme për balancën fragjile mes maqedonasve dhe minoritetit shqiptar(!) në vend. Kjo pasi atë çfarë e bashkon vendin është perspektiva europiane. Bullgaria në aspektin rajonal e politik, po luan me zjarrin,” tha ai, përcjell foldrejt.com. “Lojaliteti i shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë së Veriut është i dyshimtë, në kohën kur nuk mbetet asgjë nga anëtarësimi në BE.”
Në fund, Brunnbauer thotë se fatkeqësisht edhe shumë shtete europiane mbështesin Bullgarinë me veton e saj kundër Shkupit zyrtar, pasi në kancelaritë europiane është shtuar shumë skepticizmi ndaj zgjerimit. Por këtu duhet të ndërhyjë Berlini që të bind Sofian zyrtare./Foldrejt.com
Vërejtje: Thuajse të gjitha mediat perëndimore, në përjashtim të Der Standard, kur shkruajnë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i paraqesin si minoritet. Sa përqind duhet të jemi për të mos qenë minoritet, por komunitet shtetndërtues?