Mediat gjermanofone kanë shkruar së tepërmi për krizën që po kalon opozitarja maqedonase OBRM-PDUKM, kjo veçanërisht pas tetë ‘disidentëve’ të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, shkruan foldrejt.com.
Medias austriake ‘Der Standard’ gjendjen në OBRM-PDUKM e paraqet si “luftë ideologjike për pushtet” dhe se shumica janë strikt pro anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. “Kjo ka sjellë një përplasje mes anëtarëve dhe udhëheqjes së partisë e cila po e largon OBRM-PDUKM edhe nga mbështetja e Partive Popullore Europiane,” shkruan më tej media austriake.
Për përjashtimet nga partia të tetë deputetëve dhe figurave tjera politike, ka shkruar edhe media gjermane ‘Neues Deutschland’. Kjo e fundit thotë se në “fakt OBRM-PDUKM po izolohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe se PPE po humb durimin”, përcjell foldrejt.com.
“Gjykata ka bllokuar për shkak të hetimeve 69 nga 93 pasuritë e patundshme të OBRM, kurse në 8 nëntor mund të pritet edhe arrestimi i Gruevskit. Akuza tjera penale pritet kundër tij dhe anëtarëve tjerë të OBRM që kishte pushtetin nga 2006 deri 2017.”
Disa disidentë të OBRM-PDUKM po përpiqen të dalin edhe kundër kryetarit Hristijan Mickovski dhe ta zëvendësojnë atë me ndonjë kryetar tjetër. Si një emër i mundshëm përmendet ish ministri i jashtëm Nikola Popovski.