Hetuesit e UEFA-s kanë vendosur ta ndalojnë Barcelonën të luajë në Ligën e Kampionëve për një sezon, raporton ekskluzivisht gazeta spanjolle ABC Desportes.
Prej kohësh është përfolur se Barcelona mund të ndalohet nga pjesëmarrja në garat e UEFA-s. Për këtë e ka fajin “rasti Negreira”, i cili në fillim të vitit ngriti shumë pluhur në botën e sportit.
Bëhet fjalë për një rast në të cilin Barcelona u akuzua për korrupsion dhe ryshfet të arbitrave pasi u zbulua se i paguan shuma të mëdha parash ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve të La Ligës, Jose Maria Enrique Negreira.
Sipas El Mundo, kampionët e rinj spanjollë i kanë paguar Negreiras një shumë totale prej rreth 7 milionë euro nga 2001 deri në 2018. Kjo periudhë përfshin edhe kohën kur president ka qenë presidenti aktual i klubit, Joan Laporta, i cili në mënyrë të përsëritur mohoi atë që ishte bërë, duke thënë se pagesat kishin të bënin me punë konsultimi me gjyqtarët.
Më pas UEFA njoftoi fillimin e një hetimi kundër Barcelonës dhe fundjavën e kaluar Mundo Deportivo deklaroi se përjashtimi i Barcelonës nga Evropa në baza të përkohshme është një nga tre dënimet e mundshme me të cilat mund të përballet klubi katalanas.
Sot morëm një lajm të ri. ABC raportoi ekskluzivisht se dy hetues të UEFA-s, përkatësisht Jean Samuel Leuba dhe Mirjam Koller Trunz, arritën në përfundimin se Barcelona duhet të ndalohet të luajë ndeshje evropiane për një vit, transmeton Fol Drejt.