Ish-presidenti rus dhe numri dy aktual i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev, tha se Moska po prodhonte “mjetet më të fuqishme të shkatërrimit” bazuar në “parime të reja”, duke kërcënuar se do t’i përdorte ato kundër Perëndimit.
“Armiku ynë nuk fshihet vetëm në qeverinë e Kievit, ai është edhe në Evropë, në Amerikën e Veriut, Japoni, Australi, Zelandën e Re dhe vende të tjera që kanë treguar besnikëri ndaj nazistëve të kohës sonë. Kjo është arsyeja pse ne po intensifikojmë prodhimin e mjeteve më të fuqishme të shkatërrimit, përfshirë ato të bazuara në parime të reja”, shkroi Medvedev në Telegram.
Ai nuk specifikoi se cilat ishin parimet e reja, por dukej se po i referohej gjeneratave të reja të armëve hipersonike që Moska është përpjekur të prodhojë vitet e fundit, raporton France Press.
Komenti i Medvedevit iu drejtua sekretarit ukrainas të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Alexei Danilov, i cili tha dje se armiku i Kievit ndodhet në territorin nga republikat e aneksuara të Donbasit deri në Vladivostok.
Për shkak të humbjeve ruse në Ukrainë, frika është rritur në muajt e fundit se Moska mund të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të kthyer valën, sipas France Press.
Këtë javë, presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë rrezikun e një lëvizjeje të tillë, duke thënë se arma që Rusia posedon është një mjet mbrojtjeje dhe synohet të përdoret si hakmarrje për një sulm të tillë.
Të premten, ai përmendi gjithashtu mundësinë që Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj ushtarake, duke futur një sulm të mundshëm parandalues për të çarmatosur armikun.
Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi deklaratat e fundit, duke thënë se “çdo bisedë për armë bërthamore, qoftë edhe në terma të përgjithshëm, është krejtësisht e papërgjegjshme”./FolDrejt/