Në mesin e shumë liderëve të cilët e vizitzuan Reçakun ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai këtë ditë e konsideroi si një nga më ndikueset deri te arritja e pavarësisë së Kosovës, përcjell Fol Drejt.
Në profilin e tij në Facebook, ministri Mehaj publikoi fotografi nga vizita e tij në Reçak.
“Në kujtesën tonë s’ka se si të mos ketë mbetur i gdhendur tmerri i Reçakut, tronditja që kemi përjetuar kur kemi parë pamjet e një masakre makabre, trupat e 45 civilëve të paarmatosur e të pafajshëm të ekzekutuar nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999.
Nuk mund të mos pyesim veten për tmerrin që kanë përjetuar banorët e Reçakut atë ditë, në mesin e tyre dhe shumë fëmijë e gra, e nuk mundemi as të mos e përjetojmë edhe sot e kësaj dite si ngjarjen më makabre, gjenocidin për të cilin do të duhej ta rëndonte ndërgjegjja shumëkënd, shtetin serb edhe autorët që ende nuk kanë marrur dënimin meritor.
Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, ngase nga këtu u përhap lajmi për krimin që po ndodhte. Nga këtu u përhap edhe jehona e mbi 400 masakrave të tjera, si dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Shembull i një mizorie të papërkrueshme ishte masakra e Reçakut, ashtu siç ishte cilësuar edhe nga ana e William Walker, e poaq të mizorishme kanë qenë edhe masakrat tjera të cilat nuk patëm fatin të mund t’i dokumentojmë përmes fotografive e kamerave, vrasje që i ka mbuluar dheu e heshtja por që i dëshmon mungesa në gjirin familjar, dhimbja në shpirtin e tyre, dhe një copë varri të cilin e vizitojnë.
Mohimi i gjenocidit është krimi i dytë që mund të bëhet ndaj këtyre familjeve, është vrasje e dyfishtë që është edhe më e rëndë, kështu do të thotë të qëllosh edhe tek të gjallët e mbijetuar. Andaj të kujtosh krimin që ka ndodhur nuk është e mjaftueshme, por është rrugë e domosdoshme deri në vënien e drejtësisë.
Reçaku nuk harrohet, dhe drejtësia duhet vendosur!
Lavdi të rënëve!”, u shpreh Mehaj./FolDrejt/