Çmimet e Bitcoin mund të kenë rënë ndjeshëm në muajt e parë të vitit 2018, por mania ndaj kriptomonedhave ende po përdor shumë energji elektrike. Disa zëra kanë pohuar se minierat e Bitcoin në mbarë botën përdorin më shumë energji se sa gjithë Danimarka apo Irlanda, ndërsa të tjerë argumentojnë se shifra të tilla janë të fryra.
Por, shifrat nga një firmë energjetike në Islandë japin edhe një panoramë më të qartë të gjithë kësaj. Në vitin 2018, HS Orka tha se qendrat e të dhënave islandeze do të përdorin 340 GWh energji elektrike, më shumë se ajo që konsumon gjithë popullsia e vendit në të njëjtin vit për shtëpitë e tyre.
Johann Snorri Sigurbergsson, një zëdhënës i HS Orka tha se popullsia e Islandës prej 340 mijë vetë përdor rreth 700 GWh energjisë elektrike në shtëpitë e tyre në vit, shkruan Scan.
Si minierat e kriptomonedhave ashtu edhe shtëpitë e Islandës përdorin një sasi relativisht të vogël të energjisë totale që prodhon vendi. Në vitin 2015, Islanda prodhoi rreth 18,700 GWh energji elektrike në një vit. Shumica e asaj energjie përdoret për qëllime industriale, siç është shkrirja e aluminit ose prodhimi i metaleve.
Sa i takon kërkesës për operacionet e minierave të Bitcoin, Sigurbergsson shprehet se Islanda nuk do të ketë energji të mjaftueshme për to. Kjo sipas tij, për shkak se nuk është e lehtë të ndërtohen me shpejtësi centrale të reja energjie.
Pothuajse e gjithë energjia elektrike e Islandës gjenerohet nga burime të rinovueshme, rreth 70 për qind nga hidrocentralet dhe pjesa tjetër nga energjia gjeotermale.
Kjo nuk i ka ndaluar politikanët islandezë që të japin alarmin për pasojat e mundshme të minierave të kriptomonedhave në mjedisin e saj, duke argumentuar se ato jo vetëm që nuk kanë pothuajse asnjë staf, por kanë shumë pak kapital dhe nuk paguajnë asnjë taksë.
“Vlera për Islandën… është praktikisht zero”, shprehen ata.