Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka përmbledhur pesë ngjarjet kryesore të javës që lamë pas në kuadër të Ministrisë që Aliu drejton.
Përmes një postimi në facebook, Aliu përmendi që në fillim asfaltimin e rrugëve në komunat veriore të Kosovës, për të vazhduar me ndarjen e mjeteve prej 38 milionë eurosh për rrugën nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.
Aliu përmendi edhe nënshkrimin e memorandumit për teleferikun në Kalanë e Prizrenit, miratimin e strategjisë së transportit multimodal për vitet 2023-2030 si dhe miratimin e koncept dokumentin në fushën e automjeteve që ka për synim që qytetarëve të Kosovës t’ua mundësojë importimin e automjeteve në mënyrë më të sigurt dhe më ekologjike.
Postimi i plotë i ministrit Aliu:
“Gjatë javës që e lamë pas, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës:
✅ Vazhduam me asfaltimin e rrugëve në komunat në veri të Kosovës.
✅ Ndamë mjete prej 38 milionë euro për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.
✅ Nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Komunës së Prizrenit dhe SwissContact për realizimin e projektit për Ndërtimin e Teleferikut në Kalanë e Prizrenit.
✅ Miratuam Strategjinë e Transportit Multimodal për vitet 2023-2030, për ngritje të sigurisë së transportit dhe digjitalizimin e tij.
✅ Miratuam koncept dokumentin në fushën e automjeteve që ka për synim që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësoj importimin e automjeteve në mënyrë më të sigurtë dhe më ekologjike.”/FolDrejt/