Ministri i Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, është takuar me ministren për Çështje Sociale dhe Shndetësi të Finlandës, Hanna Sarkkinen.
Njoftimin për këtë takim e ka dhënë vetë ministri Aliu, përmes një njoftimi në facebook, transmeton Fol Drejt.
“Vlerësuam fort ndërveprimin dypalësh me theks të veçantë mbështetjen e Finlandës ndaj Kosovës, sa i përket qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, mjedisit dhe shëndetësisë.
Ministren e njoftova lidhur me prioritetet e projekteve të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të transformuar ekonominë e vendit tonë, por edhe për të përshpejtuar procesin e rritjes së kapaciteteve tona për anëtarësim në konventa ndërkombëtare. Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm.”, ka shkruar ministri Aliu.
“Diskutuam për programin e banimit të përballueshëm, dhe theksova qëllimin tonë për adresimin e një nga nevojave më urgjente të qytetarëve tanë, që është banimi i përballueshëm. Posedimi i banesave cilësore me çmime të përballueshme jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre, por gjithashtu do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës, rrjedhimisht u pajtuam për të thelluar bashkëpunimin teknik, institucional dhe shkëmbimin e informacioneve në këtë drejtim.”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/