Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur sot me Kryeministrin e Rep. së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci njoftoi se ka nënshkruar/aprovuar Programin për Pagesa Direkte për Vitin 2023, i cili siç edhe tha Ministri Peci do të përmbajë shumë risi.
Kjo është hera e parë që ky program është gati në fillim të vitit me qëllim që bujqit e Kosovës, të kenë qasje më të hershme tek mbështetja financiare institucionale, përcjell Fol Drejt.
“Ky Program sjell shumë risi ku ndër të tjera këtë vit për herë të parë do të përkrahim lulediellin si produkt strategjik të rëndësishëm për sigurimin e lëndës së parë për prodhimin e vajit ushqimor. Një hektar luledielli do të subvencionohet me 454 Euro. Risi tjetër është përkrahja financiare e gështenjës e cila do të subvencionohet me 504 Euro për hektarë”, theksoi Ministri Peci.
Ministri Peci tha gjithashtu se këtë vit vazhdojmë mbulimin e vlerës së akcizës së naftës në vlerë prej 0.36 Euro për litër, si dhe subvencionimin e pjesshëm të plehrave artificiale në vlerë prej 150 Euro për hektarë për kulturën e grurit, ndërsa 100 Euro për hektarë për misrin patatet dhe fasulet monokulturë.
Risi tjetër këtë vit është pagesa direkte për farën e grurit, ku përveç pagesës për sipërfaqe, plehrim e naftë për hektarë, bujqit do të subvencionohet edhe me 4 Cent për kilogram, që gjithsej vlera e përkrahjes do të jetë 614 Euro për hektar. Ndërsa, tek subvencionimi i grurit pragu minimal i aplikimit do të jetë një hektar, kurse sasia e dorëzuar e grurit në mulli do të startoj nga 3000 kg.
Nga ky Program eleminohet përshkallëzimi për materialet fidanore dhe pulat vojse. Tek subvencionimi i grurit është ulur kriteri i pragut minimal nga 2 hektarë në 1 hektarë. Përshkallëzimi largohet edhe për sektorin e pulave vojse. Ndërsa, për herë të parë do të subvencionohen zogjtë për majmëri apo broilerët me 0.20 Euro për zog.
Tek pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike, kemi shtuar subvencionimin për bimët mjaltëdhënëse me 450 Euro për hektarë.
Sa i përket bujqësisë organike, këtë vit do të subvencionohen me shtesë 50 Euro për hektarë sipërfaqet që janë në konvertim ndërsa kemi rritur përkrahjen në 100 Euro për hektarë për sipërfaqet e certifikuara.
Edhe këtë vit do të mbulojmë 75% të vlerës së Primës së Sigurimit, andaj inkurajohen të gjithë bujqit që ta sigurojnë mundin e tyre.
Në fund të fjalimit të tij, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se “Kemi dëshmuar dhe do vazhdojmë ta dëshmojmë vullnetin për avancim të bujqësisë me angazhim konkret në mënyrë që bujqit tanë të marrin mbështetje financiare të dinjitetshme nga Ministria dhe Qeveria”.
Vlen të theksohet se kanë mbetur tashmë vetëm procedurat ligjore dhe administrative, deri tek hapja e periudhës për aplikimit për të gjithë të interesuarit.
Fjalimin e Ministrit Faton Peci nga konferenca e gjeni të bashkëngjitur më poshtë:
“Të nderuar të pranishëm, përfaqësues të medias, të dashur qytetarë,
Viti 2022 ishte vit tepër i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, ku angazhimi ynë si Qeveri, bëri që ta shndërrojmë fermerin e Kosovës në fermerin më të përkrahurin në rajon në sektorin e drithërave, pemëve dhe perimeve.
Afirmuam politikat bujqësore, hartuam e aprovuam strategji e plane të veprimit, avancuam legjislacionin dhe koncept – dokumentet, rritëm partneritetet dhe përkrahjen financiare nga organizata e institucione ndërkombëtare, denoncuam dhe demaskuam abuzimet flagrante me pronat dhe paranë publike.
Këtë vit po e fillojmë shumë mbarë, pasi siç ju njoftoi Kryeministri z.Kurti, sot në javën e parë të janarit, aprovuam Programin për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2023.
Ky program është i mundur tani, sepse në vitin që lamë pas në afat rekord mbështetëm vetëm në kategorinë e subvencioneve 28.222 fermerë me 61.8 milionë Euro, pa asnjë obligim të mbetur financiar si asnjëherë më parë. Si rezultat i përkrahjes së madhe, është shënuar rritje në eksportin e produkteve bujqësore në shkallën prej 44%.
Është hera e parë që ky program lancohet në fillim të vitit, kjo vetëm falë vullnetit, punës dhe angazhimit tonë, në mënyrë që bujqit e Kosovës, të kenë qasje më të hershme tek mbështetja financiare institucionale, që ka qenë kërkesë e kahmotshme e fermerëve, si dhe të rrisim edhe më tej kontrollin dhe menaxhimin financiar.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MBPZHR vazhdojnë me përkrahjen e fuqishme për shumicën e kulturave bujqësore, sikurse bëmë edhe vitin e kaluar.
Ju rikujtoj se subvencionimi për produktet bujqësore më strategjike vazhdon me këtë përkrahje:
- gruri 474 Euro për hektarë,
- misri 329 Euro për hektarë,
- patatja 654 Euro për hektarë,
- fasulja 654 Euro për hektarë.
Po ashtu, kulturat pemëtare subvenciohen me 504 Euro për hektarë, perimet në sipërfaqe të hapur me 554 Euro për hektarë, ndërsa perimet në sipërfaqe të mbyllura me 904 Euro për hektarë.
Në kuadër të angazhimit tonë për të përgatitur një program sa më përkrahës për fermerët dhe bujqit tanë, në të njëjtin kemi përfshirë edhe risi në përkrahjen e kulturave të reja dhe ngritje në shumat e përkrahjes.
Këtë vit pagesa direkte për farën e grurit, përveç pagesës për sipërfaqe, plehrim e naftë për hektarë, do të subvencionohet edhe me 4 Cent për kilogram, që gjithsej vlera e përkrahjes do të jetë 614 Euro.
Gjithashtu, për herë të parë do të përkrahim kulturën e gështenjës e cila do të subvencionohet me 504 euro për hektarë.
Është rritur në mënyrë substanciale edhe përkrahja për lulediellin si produkt strategjik për sigurimin e lëndës së parë për prodhimin e vajit ushqimor. Një hektar luledielli do të subvencionohet me 454 Euro, këtu përfshihet edhe subvencionimi i plehërimit artificial të lulediellit, si dhe konpensimi i akcizës së naftës.
Vazhdojmë mbulimin e vlerës së akcizës së naftës në vlerë prej 0.36 Euro për litër, si dhe subvencionimin e pjesshëm të plehrave artificiale në vlerë prej 150 Euro për hektarë për kulturën e grurit, ndërsa 100 Euro për hektarë për misrin patatet dhe fasulet monokulturë.
Largohet përshkallëzimi për materialet fidanore dhe pulat vojse. Tek subvencionimi i grurit kemi ulur kriterin e pragut minimal nga 2 hektarë në 1 hektarë, në mënyrë që asnjë fermer të mos mbetet pa përkrahur për shkak të sipërfaqes së vogël të mbjellur. Gjithashtu, sasia e dorëzuar e grurit në mulli, si prag minimal do të ulët nga 6000 kg në 3000 kg.
Për herë të parë subvencionojmë zogjtë për majmëri apo broilerët (me 0.20 euro për zog). Tek pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike, kemi shtuar subvencionimin për bimët mjaltëdhënëse (si fascilia) me 450 Euro për hektarë.
Sa i përket bujqësisë organike, këtë vit do të subvencionohen me 50 Euro shtesë për hektarë sipërfaqet që janë në konvertim, ndërsa kemi rritur përkrahjen në 100 Euro për hektarë për sipërfaqet e certifikuara.
Do të mbulojmë 75% të vlerës së Primës së Sigurimit, andaj i inkurajojmë të gjithë bujqit që ta sigurojnë mundin e tyre.
Të nderuar,
Pas aprovimit të programit, ne do të vazhdojmë me hartimin dhe UA dhe pas 28 ditëve të punës diskutim paraprak dhe publik ne do të bëjmë hapjen e thirrjes për aplikim.
Kemi dëshmuar dhe do vazhdojmë ta dëshmojmë vullnetin për avancim të bujqësisë me angazhim konkret në mënyrë që bujqit tanë të marrin mbështetje financiare të dinjitetshme nga MBPZHR dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Falënderoj Kryeministri z.Kurti, që në kuadër të prioriteteve të Qeverisë, sektorin e bujqësisë, e ka renditur si një ndër sektorët më të rëndësishëm në këtë kohë sfiduese të sigurisë ushqimore për globin. Gjithnjë duke pasur në konsideratë fermerin, bujkun e Kosovës dhe punën e vyeshme të tij.
Ju faleminderit!”, u shpreh ministri Peci./FolDrejt/