Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, kritikoi përdorimin e luftëtarëve çeçenë nga Rusia në luftimet që po zhvillohen në Mariupol.
Deklartatat ai i bëri gjatë një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ku u diskutua mbi situatën në Ukrainë dhe pushtimin rus.
“Qeveria greke angazhohet për të bërë gjithçka që mundet për të siguruar të ardhmen e komunitetit grek në Mariupol”, nënvizoi Dendias.
Ai deklaroi se do të ngrejë në Këshill çështjen e qytetit të Mariupolit: “Kam ndërmend të ngre çështjen e Mariupolit, çështjen e komunitetit grek në Mariupol dhe shkatërrimin total të qytetit nga trupat ruse”.
“Luftëtarët çeçenë po luftojnë aktualisht në Mariupol. Ushtria çeçene ka ardhur nga pala ruse dhe qyteti është shkatërruar plotësisht. Qeveria greke ka një interes të veçantë, për shkak të pranisë së komunitetit grek atje, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar të ardhmen e këtij komuniteti”, tha Dendias./FolDrejt/