Në një postim në llogarinë e tij në facebook, ministri i FSK-së, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se është takuar me ushtruesin e detyrës së Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Douglas R. Bush.
Gjatë këtij takimi, Mehaj ka shtruar disa kërkesa në emër të FSK-së e që lidhen me blerjen e armatimeve, kryerjen e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta me forcat amerikane, transmeton Fol Drejt.
“Diskutuam rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka thënë Mehaj.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi e njoftova dhe për përgatitjet intensive që FSK është duke zhvilluar sa i përket ushtrimit ” DEFENDER ’23”, ku FSK do të marr pjesë me mbi 1300 pjesëtarë, dhe ku pritet validimi i një regjimenti të këmbësorisë.
FSK është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake, dhe po ashtu është gjithmonë e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse dhe humanitare përkrah aleatëve tanë.”, ka shtuar ministri./FolDrejt/