Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në shtetin e Iowa-s.
Gjatë vizitës në SHBA, ministri Reçica u takua me Sekretarin e Shtetit të Iowa-s, Paul D.Pate me të cilin diskutoi rreth mundësive të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të shumta nga fusha e punësimit, ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, posaçërisht me shtetin e Iowa-s.
Shteti i Iowa-s është një shtet mik i Kosovës dhe tashmë ka filluar inicimi i realizimit të disa programeve për edukim profesional me DMAAC në Iowa, të cilët do të kontribuojnë në krijimin e fuqisë punëtore të përgatitur me standarde amerikane.
Ministri Reçica falënderoi Sekretarin D.Pate për gjithë ndihmën që ka dhënë SHBA për krijimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Reçica e informoi sekretarin e shtetit rreth gjendjes në Kosovë duke theksuar faktin se shteti ynë ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë. Me këtë rast, ai kërkoi nga sekretari D.Pate që të shikohen mundësitë për angazhimin e punëkërkuesve nga Kosova në punësim sezonal ose me kohë të caktuar. Sekretari Pate me këtë rast theksoi se shteti i Iowa-s është i interesuar që të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën.
Gjatë qëndrimit në Iowa, ministri zhvilloi takime tjera të shumta, si me përfaqësues të Divizionit të Punës së Iowa-s, përfaqësues të DMACC dhe disa organizata që merren me mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, shëndetësi dhe arsim, si “United Way”, “Community Impact” dhe “Greater De Moines Partnership”.