Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm të policisë kundër grabitësve.
Ai deklaroi se krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar dhe se “vendi i kriminelëve është burgu”.
Sveçla në një postim në “Facebook” ka thënë se rreth këtij aksioni i ka dhënë mbështetjen e plotë institucionale zyrtarëve policorë.
“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti“, ka shkruar ai.
Tutje Sveçla i ka dëshiruar shërim të shpejtë dy policëve të plagosur dhe njërit të lënduar.
“Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar tetë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë”, tha ai.