Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, është shprehur se tani është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në BE, duke thënë njëkohësisht se Kosova ka bërë një progress të dukshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Po, është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po, ka pasur një strategji të qartë të lobimit për hyrje në Këshillin e Evropës para dorëzimit të kërkesës, po, Kosova ka bërë një progres të dukshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gërvalla.
“Kosova ka kaluar disa nga fazat e domosdoshme për të kaluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ka strategji shumë të qartë edhe rreth anëtarësimit në BE dhe ka koordinim me partnerët tanë, si në BE ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara rreth aspiratave tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jo vetëm që ka koordinim, por ka edhe mbështetje të fuqishme për aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”
“Nuk ka alternativë tjetër ndaj kërkesës formale për t’u anëtarësuar në BE dhe për të filluar procedurat nëpër të cilat kanë kaluar edhe të gjitha shtetet tona fqinje deri në atë që do të jetë finalja anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/