Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Drejtoreshën e Koalicionit KOMF, Donjeta Kelmendi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për çështjet e rëndësishme të bashkëpunimit në fushën e shërbimeve sociale, transmeton Fol Drejt.
Veç tjerash, është diskutuar për gjendjen aktuale të shërbimeve sociale, si dhe për planifikimin e menaxhimit, financimit dhe ofrimit të shërbimeve sociale, përfshirë llogaridhënien, pas kalimit të këtyre shërbimeve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Ministrinë e Drejtësisë.
Ministrja Haxhiu e vlerësoi të mirëseardhur bashkëpunimin me KOMF dhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve në procesin e reformimit të shërbimeve sociale, përfshirë këtu edhe përmirësimin dhe avancimin e kornizës përkatëse ligjore. Në anën tjetër, përfaqësuesit e KOMF shprehën gatishmërinë e tyre për thellimin e bashkëpunimit tutje dhe për mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces.
Në takim pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë të Kabinetit dhe Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF./FolDrejt/