Berlin, 06.11.2023 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli gjatë vizitës që ka zhvilluar në Francë dhe Gjermani, ka takuar përfaqësuesit e kompanive nga fusha e energjisë, ku ua ka prezantuar “Pakon Investive e Energjisë në Kosovë 2023-2025”, transmeton Fol Drejt.
Ministrja Rizvanolli gjatë vizitës zyrtare në Berlin ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Siemens Energy, SENS LSG GmbH, Gutami Solar Development International BV, JM ProjektInvest GmbH & Co. KG dhe GE, kurse në Paris ka takuar përfaqësuesit e Voltalia dhe Akuo Energy, ku ka vlerësuar se me 950 megavatë në vlerë prej përafërsisht 1.2 miliardë euro, “Pako Investive e Energjisë në Kosovë 2023-2025” ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë e energjisë.
Ajo ka pohuar se si Qeveri po sigurohemi që këto projekte, të cilat do të zhvillohen përmes proceseve konkurruese të jenë transparente e të drejta.
“Në Francë e në Gjermani, jemi takuar me përfaqësues të kompanive të mëdha të sektorit të energjisë, të interesuara të investojnë në Kosovë për t’u prezantuar këto mundësi, si dhe përfaqësues të të DEG KfW të cilët kanë përvojë për zhvillimin e suksesshëm të këtyre projekteve”, ka theksuar Rizvanolli.
Gjatë takimeve me kompanitë janë diskutuar mundësitë që pako investive ofron, si dhe gjithë të arriturat e Republikës së Kosovës drejt inkurajimit të investimeve private dhe krijimit të një klime të favorshme të të bërit biznes, të cilat edhe janë shtytës kyçë për rritjen ekonomike./FolDrejt/