Ministria e Kulturës është në pritje të tri projekteve nga drejtoritë kulturore komunale për ta finalizuar e kompletuar marrëveshjen me bibliotekat e qyteteve për vitin 2023. Podujeva, Kastrioti dhe Mitrovica që akoma nuk i kanë dorëzuar projektet, pritet që këtë ta bëjnë gjatë muajit gusht në MKRS e pastaj të marrin fondin librar për bibliotekat e tyre.
Shkruan: Gëzim Olluri
Më 23 shkurt 2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkroi memorandum bashkëpunimi me 31 biblioteka komunale në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Me anë të marrëveshjes, secila bibliotekë ka përfituar fond librar në vlerë prej 6 mijë e 451 euro. Mirëpo, kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kanë mbetur edhe tri komuna pa e marrë fondin librar. Kjo për arsye se drejtoritë kulturore nuk i kanë dorëzuar projektet sipas procedurave që kërkohen.
Më 27 qershor, “Fol Drejt” ka dërguar kërkesë në MKRS për të marrë përgjigjje se për çfarë arsye Biblioteka e Kastriotit akoma nuk është furnizuar me libra për bibliotekën e qytetit. Por, nuk ka pasë ndonjë përgjigjje nga ana e ministrisë. Pas kërkesë së dytë më 25 korrik nga mediumi “Fol Drejt”, nga ministria janë përgjigjur se janë tri biblioteka komunale që akoma nuk i kanë dorëzuar projektet e tyre në zyrën arkivore në MKRS. Bëhet fjalë për drejtoritë kulturore nga Podujeva, Kastrioti e Mitrovica.
“Ju informojmë se kanë ngelur tri biblioteka që akoma nuk i kanë sjellur projektet e tyre në zyrën arkivore të MKRS-së. Njëra nga këto është edhe biblioteka e Kastriotit. Palët kontraktuese janë informuar me kohë meqë memorandumi është i nënshkruar nga drejtoritë përkatëse të bibliotekave dhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 23 shkurt 2023. Ne jemi në pritje që ta procedojmë marrëveshjen me bibliotekën e Kastriotit, Podujevës dhe Mitrovicës”, është përgjigjja nga Besë Hajdari – zyrtare për informim në Ministrinë e Kulturës.
Pas qartësimeve nga MKRS, “Fol Drejt” i ka adresuar pyetjet në Drejtoritë e Kulturës në Podujevë, Kastriot e Mitrovicë. Nga të trija komunat kanë thënë se gjatë muajit gusht pritet që projektet të dorëzohen në ministri dhe që vonesat kanë ndodhur për shkak të përgatitjes së listave për librat që ju duhen. Më poshtë iu sjellim përgjigjjet e tri drejtorive.
“Projekti është thuajse në finalizim. Jemi vonuar për shkak që projekti ynë është bazuar në lista të disa shtëpive botuese. 90% është gati, ka mbetur e pambuluar pjesa për personat e verbër. Krahas kësaj, vetëm sot (28 korrik) është kompletuar furnizimi me libra nga kontrata që e kemi nënshkruar me financim nga komuna me Shtëpinë Botuese “Artini”, kontratë në vlerë afro 20.000 euro, e cila përmban mbi 500 tituj në mijëra kopje. Besoj që javën në vijim kompletohet dhe i dorëzohet MKRS-së”, ka shkruar Pajtim Balaj – drejtor në Drejtorinë e Kulturës në Podujevë.
“Biblioteka e Qytetit të Komunës së Kastriotit, është në procedurë të hartimit të projektit duke zgjedhur me kujdes titujt e librave për t’i porositur, duke u bazuar edhe në kërkesat e lexuesve të bibliotekës. Po ashtu, të titujve të rinj të librave në mënyrë që titujt të cilët do të merren, të jenë të shfrytëzueshëm nga lexuesit e bibliotekës. Ky projekt pritet të dorëzohet në fund të javës tjetër në MKRS”, është përgjigjja nga Arba Mirena – drejtoreshë në Drejtorinë e Kulturës në Kastriot.
“Ju njoftojmë se jemi në proces të finalizimit të projektit për dorëzim. Arsyeja pse nuk është dorëzuar ende është ngase jemi në proces të përzgjedhjes së librave nga të gjithë sektorët e bibliotekës deri në finalizimin e listës përfundimtare. Besoj pas datës 14 gusht 2023, projekti do të jetë i gatshëm për dorëzim në ministri”, është shprehur Arbër Hajra – zyrtar nga kabineti i Drejtorisë së Kulturës në Mitrovicën e Jugut.