Sindikata gjermane i ka bërë thirrje stafit tokësor të Lufthansa-s që të nisin grevë njëditore të mërkurën për shkak të mosmarrëveshjes për pagat.
Sindikata e punëtorëve të shërbimit “ver.di” tha sot se thirrja vlen për të gjitha pikat e Lufthansa-s në Gjermani. Thirrja për grevë vjen në mes të negociatave për pagat për rreth 20 mijë punonjës të filialeve logjistike, teknike dhe ngarkesave të kompanisë ajrore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Greva ishte caktuar të fillonte në orën 03:45 të mëngjesit sipas kohës lokale të mërkurën dhe të përfundonte në orën 06:00 të mëngjesit të enjten.
Sindikata synon të shtojë presionin ndaj Lufthansa-s përpara raundit të ardhshëm të negociatave më 3 dhe 4 gusht.
“Greva të tilla paralajmëruese” janë taktikë e zakonshme në negociatat gjermane të punës dhe zakonisht zgjasin nga disa orë në një ose dy ditë. Greva vjen në një kohë kur aeroportet në Gjermani dhe gjetkë tashmë janë përballur me ndërprerje dhe radhë të gjata të kontrolleve të sigurisë.
“Ver.di” ka kërkuar rritje pagash prej 9.5 për qind këtë vit dhe tha se oferta e Lufthansa-s në fillim të këtij muaji, e cila përfshinte një marrëveshje për një periudhë 18-mujore, është shumë larg kërkesave të tyre.
Shefi i burimeve njerëzore të Lufthansa-s, Michael Niggemann tha se thirrja e “Ver.di” për grevë “është edhe më e pakuptueshme duke pasur parasysh se pala punëdhënëse ka ofruar rritje të larta dhe të balancuara të pagave” pavarësisht situatës së tensionuar ekonomike të kompanisë dhe gjendjes së pasigurt ekonomike./FolDrejt/