Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se mos rishikimi i buxhetit nga Qeveria pritet të shkaktojë probleme në projektet e Komunës së Prishtinës.
Ai e ka dhënë një arsye se pse pushteti nuk e ka bërë rishikimin e buxhetit, e që sipas tij, është mungesa e votave në Kuvendin e Kosovës.
Ahmeti, që është edhe kryetar i Partisë Socialdemokrate, tha se Qeveria është frikësuar ta bëjë rishikimin për shkak se nuk i ka 60 vota, e sipas tij, nëse nuk do të kalonte atëherë do të vije në pikëpyetje legjitimiteti i Qeverisë.
“Arsyeja kryesore se pse nuk ka shkuar ka të bëjë me numrat në Kuvend, sepse është një Qeveri që nuk i ka të sigurta 60 numra të deputetëve. Mendoj se nuk e kanë dërguar se janë frikësuar pak se nuk kalon. E një Qeveri që e sfidon vetën me votë në Kuvend dhe e humb votën, atëherë gjithmonë shtrohet pyetja e legjitimitetit të asaj Qeverie, kjo ka qenë arsye kryesore e që na shkakton probleme, por jo probleme të pazgjidhshme”, tha Ahmeti.
Këto komente kreu i Prishtinës i ka bërë gjatë një konference ku janë paraqitur projektet infrastrukturore të vitit 2018.