Shakhtar do të marrë 100 milionë euro për shitjen e Mykhail Mudryk te Chelsea, ndërsa 23 milionë do të kalojnë në llogarinë e ushtrisë ukrainase.
Presidenti i Shakhtarit konfirmoi se një pjesë e transferimit të Mykhail Mudryk, që peshon 100 milionë euro, do të shkojë për të mbështetur ushtrinë ukrainase. Thuhet se bëhet fjalë për shumën prej 23 milionë eurosh.
Gjiganti i Premierligës, Chelsea, konfirmoi fundjavën e kaluar blerjen në janar të një prej futbollistëve të rinj më të mëdhenj në botë, tashmë ish-futbollistit të Shakhtarit, Mudryk, për 100 milionë euro.
Ata luftuan për yllin e ri të futbollit ukrainas me rivalin e qytetit Arsenal, por Darijo Srna, i cili udhëhoqi këtë biznes në negociatat në Londër, përfundimisht vendosi të shtrëngojë duart me blutë.
“Fillimisht, dua të falënderoj botën e qytetëruar për ndihmën e Ukrainës. Sot po flasim për futbollin ukrainas për shkak të ushtrisë ukrainase, popullit ukrainas dhe mbështetjes së madhe të botës së qytetëruar. Kam ndjenja të përziera. Mikhaylo po shkon në një nga klubet më të mëdha në botë që po lufton për trofe europianë. Ne gjithashtu duam t’i fitojmë ata, dhe kjo do të thotë se nuk duhet të shesim lojtarë si ai, por për fat të keq kjo është e pamundur për momentin ”, tha presidenti i Shakhtarit, Rinat Ahmetov.
“Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, vendosa të nis projektin “Zemra e Azovstal” me synimin për të mbështetur ushtarët e Mariupolit dhe familjet e ushtarëve të rënë. Prandaj vendosa të transferoj 23 milionë euro për të ndihmuar ushtarët tanë, veteranët dhe familjet e tyre” , shtoi ai, transmeton Fol Drejt.