Në Departamentin e Orientalistikës, Fakulteti i Filologjisë, ditën e enjte u zhvillua një bisedë me Petrit Çarkaxhiun, këngëtarin e njohur të Kosovës. Në këtë bisedë morën pjesë studentët e Fakultetit të Filologjisë, profesorët e degës së Orientalistikës dhe simpatizantë të tjerë të muzikës së Petritit.
Në fillim të bisedës, e cila u drejtua nga prof. Zekije Xhafce, profesoreshë e Orientalistikës, Petriti foli për konceptimet e tij mbi Lindjen dhe Perëndimin dhe theksoi se ai nuk është dakord për ndarje të tilla regjionale dhe kulturore, gjë e cila mund të vërehet edhe në krijimtarinë e tij muzikore.
Ai në vazhdim foli edhe për pikëtakimet e muzikës tradicionale shqiptare me atë orientale dhe përmendi disa instrumente të ngjashme të muzikës shqiptare dhe muzikës së popujve nga Lindja e Mesme.
- Çarkaxhiu gjatë kësaj bisede me studentët dhe profesorët e Orientalistikës, deklaroi edhe për ndikimet dhe raportet e tij me traditën mistike, si dhe për leximet e veprave mistike siç është Mesnevia e Mevlana Rumiut.
Gjatë kësaj bisede, të pranishmit u interesuan edhe për dimensionet orientale të muzikës së Petritit dhe disa nga studentët dhe profesorët shtruan pyetje në lidhje me këto tema.
Solisti i grupit Jericho në përgjigje të këtyre pyetjeve, ofroi më shumë të dhëna rreth disa simbolikave, kuptimeve dhe vargjeve të këngëve të tij.
Në fund, pjesëmarrësit në këtë bisedë, falënderuan organizatorët e këtij eventi dhe shprehën mirënjohje për praninë e Petrit Çarkaxhiut në Fakultetin e Filologjisë, saktësisht në Departamentin e Orientalistikës./FolDrejt/