Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca ushtarake do të mirëpresë Finlandën dhe Suedinë “krahë hapur” nëse vendosin të aplikojnë për anëtarësim.
Stoltenberg foli në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Mestola, para një takimi me udhëheqësit e grupeve politike të PE-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Nëse vendosin të aplikojnë, Finlanda dhe Suedia do të priten krahë hapur në NATO”, tha Stoltenberg, duke shtuar se ai pret që procesi i anëtarësimit “të kalojë shpejt”.
“Finlanda dhe Suedia janë partnerët tanë më të ngushtë”, shtoi ai.
Më tej, shefi i NATO-s tha se të dy vendet janë “demokraci të forta dhe të pjekura” që kanë punuar së bashku me NATO-n për një kohë të gjatë.
Ai shprehu bindje se forcat e armatosura suedeze dhe finlandeze “përmbushin standardet e NATO-s dhe janë ndërvepruese me forcat e NATO-s”.
“Ne jemi të stërvitur së bashku, ne ushtrojmë së bashku”, u shpreh Stoltenberg, duke shtuar se ushtritë e Suedisë dhe Finlandës së bashku me forcat e NATO-s morën pjesë në shumë misione dhe operacione të ndryshme.
Stoltenberg po ashtu tha se ai është “i sigurt” se NATO do të arrijë të gjejë një “marrëveshje” për garancitë e sigurisë për periudhën e ndërmjetme midis paraqitjes së aplikimit nga të dy vendet dhe ratifikimit zyrtar të procesit të anëtarësimit.
Ai po ashtu theksoi se “pushtimi brutal i Ukrainës tregon nevojën që NATO” të sigurojë mbështetje praktike dhe politike për “vendet në Evropë që nuk janë anëtare të NATO-s ose anëtare të Bashkimit Evropian (BE), të tilla si Moldavia dhe Gjeorgjia”.
Sipas raporteve në media, Finlanda dhe Suedia kanë rënë dakord të paraqesin së bashku kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO në mes të muajit maj.
Të dy vendet ishin neutrale ushtarakisht gjatë Luftës së Ftohtë dhe arritën një marrëveshje partneriteti me NATO-n në vitin 1995.
Mbështetja për anëtarësimin në NATO është rritur ndjeshëm tek të dy vendet pasi Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës fqinje./FolDrejt/