Ka përfunduar në Bruksel samiti i vendeve anëtare të NATO-s, i pari me prezencë fizike që nga viti 2018 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Udhëheqësit e 30 vendeve anëtare kanë adresuar çështjet të sigurisë globale dhe rreziqeve me të cilat ballafaqohen vendet anëtare përfshirë ato nga Kina, Rusia dhe Irani.
Në deklaratën përfundimtare të përbashkët, krerët e NATO-s kanë adresuar edhe praninë në Kosovë dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shkruan REL, transmeton FolDrejt.com.
NATO-ja ka përsëritur edhe në samitin e sotëm (14 qershor), përkushtimin për vazhdimin e angazhimit në Kosovë dhe ka mbështetur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mbetemi të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja që kontribuon për një ambient të sigurt dhe stabilitet të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe për përpjekjet e ndërtimit të kapaciteteve me organizatat e sigurisë së Kosovës. Çfarëdo ndryshimi në përbërjen e KFOR-it në Kosovë, do të bazohet në kushtet e jo në kalendar kohor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të aleatëve të NATO-s.
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në deklaratë thuhet se NATO-ja “mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet tjera me qëllim të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bën thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”.