Kosova ka shënuar një ngritje për pesë vende sa i përket fuqisë ushtarake dhe njerësore sipas indeksit të Fuqisë Globale Ushtarake 2023.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke u bazuar në matjet vjetore të GFP-së (rishikimit vjetor të indeksit të Fuqisë Globale Ushtarake 2023).
“Në këtë studim është vlerësuar numri i ushtrisë, numri i pajisjeve ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë.
Ushtria e Republikës së Kosovës çdo vit e më shumë po ngritë kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale për të kontribuar jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit, por dhe në rajon e më gjerë”, ka thënë Mehaj./FolDrejt/