Policia e Kosovës ka njoftuar se që nga dita e nesërme, do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25% në dhe përreth objekteve komunale në veri, transmeton Fol Drejt.
Ky vendim është marrë pas takimit punues mes policisë, EULEX-it dhe KFOR-it lidhur me vlerësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, konkretisht objektet komunale.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.
Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.
Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.”, thuhet në njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës.