Lidhur me ngjarjen që tronditi vendin, vrasjen e Liridona Ademajt, Ministrina Punëve të Jashtme suedeze ka konfirmuar se po trajtojnë një rast konsullor ku përfshihen nënshtetasit suedezë në Kosovë.
Duke mos dhënë detaje, kjo minisntri konfirmon se është në dijeni për ngjarjen dhe po e trajton.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në dijeni se një grua rreth të 30-ave ka vdekur në Kosovë më 29 nëntor. Të afërmit e saj janë njoftuar. Të gjitha pyetjet në lidhje me çdo hetim policor ia drejtojmë Autoritetit Policor Suedez ose policisë në vendin në fjalë. Ministria e Punëve të Jashtme në Suedi mund të konfirmojë se është duke trajtuar një rast konsullor që përfshin një familje suedeze në Kosovë. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm”, thonë nga MPJ e Suedisë për Portalin Dukagjini.
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e tre personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murseli, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj dhe Kushtrim Kokalla, i dyshuar për pjesëmarrje në rast.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar “dyshimin e bazuar” për planin e vërtetë të Naim Murselit për ta privuar nga jeta “në mënyrë dinake” bashkëshorten e tij.
Në marrëveshje me Naim Murselin, Gjykata thotë se Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan “kinse për të ikur”.
Dorasin, ai e kishte pajisur edhe me armën me të cilën ishte kryer krimi.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Të dielën, kur në oborrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë priteshin të dyshuarit, të njëjtit hynë fshehurazi larg syrit të kamerës.
Ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku pas një seance të tensionur të dyshuarve iu shqiptua masa e parbaurgimit prej 30 ditësh.
Kjo, “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.
Naim Murseli i ndërroi fjalët, kur deklaroi në seancën dëgjimore se nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe se kishte qenë i rrezikuar edhe vetë.
Kurse dorasi Granit Plava edhe avokati i tij Skender Gojani nuk e kundërshtuan caktimin e paraburgimit.
Edhe Kushtrim Kokalla dhe avokati i tij Ndec Dodaj i quajtën “të përgjithësuara” dhe “të paargumentuara” kushtet për caktimin e paraburgimit.