Viti që lamë pas, në rrafshin e kulturës, përgatiti për shoqërinë kosovare një diversitet ngjarjesh kulturore, të shprehura nëpër një mori formash e mjetesh të ndryshme, shkruan Fol Drejt.
Festivalet me motive të ndryshme kombëtare e argëtuese, ekspozitat sa estetike e sa sensibilizuese, aktivitetet përkujtimore, shfaqja e filmave e dokumentareve, aktivitetet e veçanta për shënimin e jubileve, janë disa nga ngjarjet kulturore me të cilat Kosova la gjurmë kulturalisht vitin që shkoi.
Hapja e një ekspozite kolektive të artit pamor në Galerinë e qytetit të Gjilanit shënoi edhe nisjen e aktiviteteve kulturore për vitin 2022, për t’u shoqëruar edhe me një varg ekspozitash. Menjëherë pas dy ditësh, në shënim të manifestimit “Flaka e janarit” me 19 janar, u organizuan dy ekspozita: “Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit” dhe “Rezistencë – Paneli i flakës”, e teksa e para qe e tipit të memoareve dhe përkujtimeve, ekspozita e dytë qe e karakterit artistik, si paraqitje e artit bashkëkohor.
Hapja e ekspozitave vazhdoi edhe në muajin shkurt, me ç’rast me 8 shkurt, Galeria Kombëtare e Kosovës organizoi hapjen e ekspozitës së artistit Prof. Luan Tashi “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve“.
Në formën e instalacioneve, me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, u mbajt instalacion me fotografi dhe video: Historia e 5, 6 dhe 7 Marsit.
Ekspozitat vazhduan edhe përgjatë muajve në vijim, me ç’rast emra si artistja Nora Al-Badri, piktorja Milica Miletiq, artisti Besart Gashi, Ben Blushi, Majlinda Kelmendi, sollën ekspozita sa përmes pikturave e fotografive, duke prezentuar motive historike, kombëtare, kulturore, madje edhe të rrafshit botëror, si rasti i Ben Blushit me ekspozimin e fotografive për Ukrainën.
Ekspozita pati edhe me qëllim sensibilizues, si ekspozita “Dhuna nuk fshehet brenda mureve”, organizuar nga Rrjeti i Grave dhe ekspozita ‘Më lër brenda, më lër jashtë’ prezantim i një britme të fuqishme të personave me aftësi të kufizuara të cilët i mungojnë diskursit publik në Kosovë.
Ndonëse në Hagë, një ekspozitë në 2022-tën Kosovës ia solli edhe Rexhep Selimi, me ç’rast në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, u ekspozuan pikturat e Rexhep Selimit, në kuadër të ekspozitës së tij personale “Në garë me botën gri”.
Po aq të shpeshta sa ekspozitat qenë edhe festivalet.
Në komunën e Gjilanit, në kuadër të “Flakës së janarit” u organizua festivali për fëmijë “Xixat e flakës”. Krahas këtij festivali, “Flaka e janarit” solli edhe organizimin e koncertit të muzikës popullore “Fest Flaka”. E vitin e kaluar në Gjilan nuk mungoi as organizimi i manifestimit kulturor tradicional “Ditët e Agimit 2022”, organizuar nën patronazhin e të parit të kësaj komune.
Në Prizren ndërkaq, 2022-ta solli edicionin e 33-të të festivalit folklorik “Hasi jehon”, që u mbajt tri ditë radhazi e krahas tij, në po këtë qytet u mbajt edhe DokuFest-i.
Edhe Rahoveci la gjurmë në domenin e kulturës vitin që lamë pas, nëpërmjet organizimit të festivalit “Anadrinia jehon 2022”, organizuar për tri ditë me radhë.
Festivale pati edhe në Malishevë “Oda e Llapushës” e “Mal Fest”, Prishtinë “Festivali i pranverës”, “Prishtina Gastronomy Festivali”, “Lahuta, Okarina, Polifonia” e Klinë “I këndojmë pranverës”, teksa vitin që lamë pas edhe “Hardh Fest”, me një agjendë të ngjeshur solli për pjesëmarrësit një varg aktivitetesh (gara sportive, turne, koncerte, ekspozita, panaire për rrushin e produktet e fermentuara të tij, aktivitet letrar për Xhevdet Bajrajn).
Në vitin 2022, në mesin e ngjarjeve që ndërtuan imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare duhet përmendur organizimin e Manifesta 14, e hapur solemnisht që nga 22 korriku e gjer në fund të muajit tetor. E përgjatë më shumë se tre muajsh, krahas vlerave kulturore e artistike në produktet e këtij organizimi, Manifesta i solli vendit një mori vizitorësh nga vende të ndryshëm të botës, bashkë me interesimin e tyre për t’u njohur me Kosovën dhe identitetin e saj kulturor e shoqëror.
Krahas Manifestës, në mesin e ngjarjeve të vlefshme për iluminimin e kulturës së Kosovës, duhet përmendur edhe organizimet si “Opera International Kosova”, nën organizimin e tenorit të njohur nga Kosova, Ramë Lahaj. E këtij karakteri muzikor, që pavarësisht polemikave, u organizua dhe solli turistë të huaj në Kosovë qe edhe “Sunny Hill Festival”, ku pjesëmarrësit patën rastin të shohin ngjitjen në skenë edhe të artistëve me famë të njohur botërore, krahas artistes me origjinë shqiptare, Dua Lipa.
Në rrafshin e trashëgimisë kulturore vlen të përmendet organizimi dy ditor i Konferencës Ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit“. Gjatë kësaj konference u bë prezantimi i të dhënave të reja për qytetërimin e epokës së bronzit në Kosovë e kërkimeve arkeologjike nënujore në liqene.
Vitin që lamë pas edhe baleti i Kosovës, mbushi pesë dekada nga koha e formimit, me ç’rast, në nder të këtij jubileu, me 9 tetor, në sallën e sportit “1 tetori”, në kryeqytet, u organizua një ceremoni shtetërore.
Jubile pati edhe për korin Siparantum, i cili shënoi pesë vjetorin e themelimit, duke sjellë për pjesëmarrësit një koncert në qytetin e Pejës.
E krahas këtyre ngjarjeve në mesin e ngjarjeve tjera kulturore që i dhanë frymë artit dhe kulturës kosovare vitin e shkuar, bota e artit e humbi një regjisore.
Pas një beteje me sëmundjen e kancerit, regjisorja Vjosa Berisha u la lamtumirën kolegëve dhe gjithë botës së filmit me 23 qershor 2022. E në nder të saj, me 30 qershor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizoi një ceremoni përkujtimore.
Ceremoni përkujtimore pati edhe për kantautorin Shaqir Hoti, në 1-vjetorin e vdekjes së tij, ku nga po Ministria e Kulturës, u promovua dokumentari “Okarina e Runikut”.
E krahas gjithë këtij diversiteti kulturor, edhe “Art Without Limit International Film Festival” që solli shfaqjen e filmave vendorë e të huaj, “Burgu i Idealit”, hapja e Observatorit të Prishtinës për observim të kozmosit e hapësirës, janë disa prej ngjarjeve tjera kulturore të organizuara që i dhanë ngjyrë jetës kulturore të shoqërisë së Kosovës vitin që lamë pas./FolDrejt/