Nikola Jokic u shpall MVP i sezonit të rregullt në NBA, duke u bërë njëherësh edhe i pari lojtar nga Serbia apo vendet e Ish-Jugosllavisë që meriton një çmim të tillë.
Basketbollisti nga Krahina Autonome e Vojvodinës u kurorëzua në këtë mënyrë me çmimin më të lakmuar individual të kampionatit më spektakolar në rruzull, duke u bërë njëkohësisht edhe lojtari i parë në historinë e franchise-t nga Colorado që shpallet si MVP në “regular season”.
2.11 metra i gjatë, kapiteni i Denver Nuggets u shpall me diferencë si basketbollisti më i mirë i sezonit të rregullt, duke patur koeficientin më të lartë të efikasitetit në regular season. Koeficienti i efikasitetit në NBA është një statistikë tepër domethënëse në ligën më të rëndësishme në glob, që përbëhet nga të dhënat individuale të çdo lojtari, pra pikët, topat e rikuperuar, asistet, topat e bllokuar dhe të rrëmbyer ndaj kundërshtarit si dhe topat e humbur apo tentativat e gjuajtjeve krahasuar me përqindjen e realizimit. Koeficienti i efikasitetit përgjatë sezonit të rregullt i qendrës së Nuggets ishte 35,9, raporton Top Channel, percjell Foldrejt.com