Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, pasi siç ka thënë ai, ajo po e cenon rendin kushtetues dhe juridik, shkruan Fol Drejt.
“Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik” – ka thënë ndër të tjera Abdixhiku.
Ky është postimi i tij i plotë:
Nga logjika e ‘vajit në tepsi’,
tek sulmet ndaj rendit juridik.
Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik.
Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?
Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë.
Kosova meriton më mirë.
Kosova mundet më shumë!