Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, dy zyrtarëve të saj me inicialet D.H dhe I.I, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të dyshuarit janë arrestuar të hënën nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve I.I dhe D.H për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.