Çdo e dhjeta qenie njerëzore në botë është e uritur, sipas një raporti të Oxfam. Në të njëjtën kohë, shumë kompani kanë fitime të mëdha nga krizat: 95 kompani ushqimore dhe energjitike dyfishuan fitimet e tyre në vitin 2022, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportit “Mbijetesa e më të pasurve”, që organizata humanitare e prezanton sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës – për herë të parë në 25 vitet e fundit, varfëria ekstreme dhe pasuria ekstreme po rriten njëkohësisht.
Përveç kësaj, kompanitë e mëdha dhe pronarët e tyre përfituan nga kriza të ndryshme. Kështu, që nga viti 2020, përqindja më e pasur e njerëzimit kishte një total prej 26 trilionë dollarë amerikanë – dhe 99 përqind e mbetur kishin në dispozicion 16 trilion dollarë.
Shumica e njerëzve të uritur janë gra dhe vajza
Vitin e kaluar, pasuria e miliarderëve është “rritur” sërish, veçanërisht për shkak të “fitimeve marramendëse të kompanive ushqimore dhe energjitike”. Mes tyre janë 95 kompani që arritën vlerën e fitimeve më shumë se dyfish krahasuar me fitimet e tyre vitin e kaluar.
Në Gjermani, 81 përqind e rritjes totale të pasurisë midis 2020 dhe 2021 shkoi për përqindjen më të pasur të popullsisë. Dhe pjesa e mbetur prej 19 përqind e kësaj rritjeje të pasurisë shkon për 99 përqind të qytetarëve gjermanë.
Sipas Oxfam, të paktën 1.7 miliardë punëtorë jetojnë në vende ku inflacioni është më i lartë se rritja e pagave. Rreth çdo i dhjeti person në botë është i uritur. Sipas Oxfam, 60 për qind e të uriturve në botë janë gra dhe vajza.
Qeveritë duan të reduktojnë investimet në arsim
Në të njëjtën kohë, tre të katërtat e të gjitha qeverive planifikojnë të shkurtojnë shpenzimet në sektorin publik, si arsimi dhe shëndetësia.
Në këtë kontekst, organizata u bëri thirrje qeverive që ta kundërshtojnë këtë trend me taksat mbi fitimet e larta dhe pasurinë e madhe. Oxfam kërkon një taksë mbi fitimet e larta prej të paktën 50 për qind, sepse “planet e mëparshme për të taksuar ata përfitues të krizës kanë dështuar”.
Të ardhurat e krijuara në këtë mënyrë do të duhet të investohen në përmirësimin e sigurimeve shoqërore, arsimit dhe shëndetësisë në mënyrë që të luftohet pabarazia dhe varfëria. /FolDrejt/