OBRM-PDUKM organizon sot (e mërkurë) marsh protestues në Shkup, edhe përkundër faktit se sot shqiptarët gjithandej në kryeqytet shënojnë Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin.
Protesta e VMRO-DPMNE që ka për qëllim përkujtimin e përvjetorit të ngjarjeve në kuvend me 27 prill të vitit të kaluar, do të mbahet vetëm në 1 kilometër distancë nga Sheshi SKËNDERBEU në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ku për sonte është caktuar të mbahet një koncert. Kjo shton rrezikun e frikës për një mundësi përplasjeje mes shqiptarëve dhe maqedonaseve, informon foldrejt.com.
Protesta e partisë më të madhe opozitare do fillojë në 17:00, duke nisur nga sheshi OBRM, do të vazhdojë nëpërmjet rrugëve “Dame Gruev” dhe “Vasil Gllavinov” deri përpara ndërtesës së Qeverisë.
“Për këtë arsye do të ndërmerren masa për regjim të posaçëm të komunikacionit në zonën qendrore të Shkupit në periudhën pak përpara fillimit dhe gjatë mbajtjes së protestës”, thonë nga MPB.
MPB apelon deri te qytetarët që t’i respektojnë urdhrat e zyrtarëve policor.
Siç thonë më tej nga OBRM, ata protestojnë kundër të zezave që i ka sjell LSDM, “kundër varfërisë, rritjen e tatimeve dhe mungesën e të ardhurave që e rëndojnë çdo qytetar, kundër ekonomisë e cila stagnon dhe po e humb frymë, kundër të zezave politike, kundër padrejtësisë dhe pasigurisë, kundër moçalit të zi politik ku persekutimi bëhet ligj, ndërkaq ligji shënjestër për përmbushje. Poashtu jemi kundër të zezave shoqërore, kundër rrezikimit të shëndetit të qytetarëve dhe jo-funksionalitetit të sistemit shëndetësor dhe vrasësit të heshtur të ndotjes e cila në vend të zvogëlohet, po stimulohet.”