Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me nivelin e zvogëluar të dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat, duke e konsideruar atë një hap mbrapa në partneritetin ndërmjet institucioneve legjislative dhe ekzekutive dhe përfaqësuesve të sektorit privat.
Sipas Odës Amerikane, sektori privat është një palë e rëndësishme e interesit në përpjekjet e përgjithshme të promovimit të rritjes ekonomike, përmirësimit të mjedisit afarist dhe fuqizimit të sundimit të ligjit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se të kuptuarit reciprok të nevojave të sektorit publik dhe privat është i një rëndësie të madhe për fuqizimin e një tregu të fuqishëm konkurrues.
“Në këtë aspekt, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me nivelin e zvogëluar të dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat, duke e konsideruar atë një hap mbrapa në partneritetin ndërmjet institucioneve legjislative dhe ekzekutive në njërën anë, si dhe përfaqësuesve të sektorit privat në anën tjetër, i cili rezultoi në një progres të jashtëzakonshëm në lehtësinë e të bërit biznes. Oda Amerikane është e brengosur me faktin se disa nga vendimet e marra së fundmi e të cilat ndikojnë në sektorin privat, janë marrë dhe po imponohen pa interaksion të mirëfilltë formal. Oda Amerikane konsideron mekanizmat si Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si të duhur për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballet sektori privat në Kosovë, përfshirë sundimin e dobët të ligjit dhe korrupsionin, burokracinë, disponueshmërinë e fuqisë punëtore dhe shumë të tjera. Prandaj, Oda Amerikane kërkon nga institucionet e Kosovës të promovojnë dhe fuqizojnë dialogun me të gjitha asociacionet e biznesit përmes KKZHE dhe mekanizmave të tjerë formalë, si dhe të përmbahen nga veprimet dhe vendimet e njëanshme”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane, e cila konsideron se masat e fundit fiskale si shembull konkret të partneritetit të sinqertë dhe konstruktiv ndërmjet akterëve publikë, privatë dhe palëve të tjera të interesit.
Oda Amerikane mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin, për të ofruar kontributin e saj, derisa shpreson se kjo do të shërbejë si thirrje për institucionet relevante qeveritare që të fuqizojnë përfshirjen e komunitetit të biznesit për një të ardhme më të mirë.