Sot pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të diskutohet për Kosovën.
Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, do të mbahet të enjten në orën 21:00.
Ende nuk dihet nëse seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë e hapur për publikun.
Serbia i ka dorëzuar dje një kërkesë misionit të Guajanës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.
Serbia pretendon se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ditëve të fundit, në Kosovës hyri në fuqi një rregullore që përjashton dinarin nga qarkullimi.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.
Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë.