73 milionë euro do të humbë Operatori i Energjisë në Shqipëri këtë vit. Ky është vlerësimi që ka bërë qeveria në raportin për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Por, humbjet do të vazhdojnë. Për vitin 2022 humbjet e parashikuara janë rreth 60 milionë euro.
Pra, 133 milionë euro humbje në dy vjet aktivitet.
Të gjitha humbjet paguhen me kredi, që i merr OSHEE, por që garanton qeveria me paratë e taksapaguesve.
Rritja e çmimit të energjisë së importuar do t’i shtojë vështirësitë financiare të kompanisë.
Vetëm këtë muaj, ajo ka blerë rreth 65 milionë euro energji elektrike në tregjet e huaja. Është blerja më e madhe mujore që OSHEE ka bërë ndonjëherë.
Deri tani OSHEE ka krijuar mbi 300 milionë euro borxhe.
Në fakt, në dokumentin e buxhetit ka një plan administrativ për të reduktuar borxhet, duke mbledhur faturat e papaguara, plan ky i hartuar edhe më herët, por që nuk ka funksionuar.
Nga ana tjetër, OSHEE është vënë edhe para përgjegjësisë së shpërdorimit të parave, për gjyqe të humbura, tendera e shpërblime, pa përfshirë këtu faturat e pambledhura pas vitit 2018, që arrijnë 82 milionë euro.