Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s që u mbajt në Washington D.C.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve. Iniciativa Compact Ukraine, si aktivitet përmbyllës i Samitit të NATO-s, është pjesë e përkushtimit të NATO-s dhe partnerëve të saj për sigurinë afatgjate të Ukrainës. Kjo iniciativë e NATO-s, krijon një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë për t`i forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës”, theksoi presidentja Osmani.
Në përfundim të Samitit, presidentja Osmani pati një bisedë të rëndësishme me Presidentin Biden, duke e falënderuar për kontributin e tij në mbështetje të Kosovës, si dhe zhvilloi biseda me liderë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. /FolDrejt/