Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë është paralajmërim për kujdes të shtuar kundër përhapjes së mëtejme së këtij virusi, thotë drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.
Ai shton se tash për tash, me numrin aktual të të infektuarve, situata është e menaxhueshme, por thekson se duhet pasur kujdes në këtë drejtim.
Numri i rasteve me COVID-19 është në rritje ditëve të fundit në Kosovë, kurse më 4 gusht u regjistruan 221 raste të reja, pas testimit të 3.160 mostrave. Mbi 100 raste të infektimeve janë të grup moshës 20-39 vjeç.
Në spitalet e përgjithshme në Kosovë janë të shtrirë 107 pacientë, kurse në Klinikën Infektive në Prishtinë janë 34 pacientë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të infektimit me COVID-19 janë të lidhura me variantin Delta. Ky variant, që është më ngjitës, është bërë dominues edhe në Kosovë. Instituti, mostrat për variantin Delta, i dërgon jashtë vendit për t’i analizuar.
Ndërkaq, të paktën pesë persona të cilët kanë qenë të vaksinuar janë infektuar me koronavirus, kurse dy prej tyre, kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve në fjalë, nuk është e rëndë.
Nga ana tjetër, infektologu Sali Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se simptomat e variantit Delta, duket të jenë të ngjashme me ato të variantit të parë të virusit, transmeton FolDrejt.com.
Të mbahen maskat dhe të ruhet distanca
Ahmeti shton se respektimi i masave kundër pandemisë duhet të vazhdojë, në të kundërtën, sipas tij, numri i të infektuarve do të rritet.
Për epidemiologun Isuf Dedushaj, rritja e shpejtë e rasteve me COVID-19, është shqetësuese.
Ai konsideron që nëse vazhdon një trend i tillë i infektimeve, duhet të merren masa që do të parandalonin përhapjen e mëtejme të infeksionit.
Masat kundër pandemisë në Kosovë tashmëjanë liruar pothuajse krejtësisht. Po ashtu, edhe mbajtja e maskave nëpër rrugë është rralluar.
Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës e as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse po e shqyrtojnë mundësinë e kthimit të disa masave kundër pandemisë.
Deri më 4 gusht, në Kosovë janë administruar 460.297 doza të vaksinës kundër koronavirusit, kurse 162.807 qytetarë janë vaksinuar të dyja dozat e vaksinës.