Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se që nga sot Shqipe Pantina ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kujtojmë se ish-deputetja e Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina, ka qenë me herët edhe në dy parti të tjera, në Lëvizjen Vetëvendosje e në Partinë Socialdemokrate.
“Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX”, është shprehur Abdixhiku.
“Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore”.
Kryetari i LDK-së ndër të tjera ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e ish-deputetes në LDK.
“Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton”, ka përfunduar ai.