Programi Digjital i BE për Ballkanin Perëndimor ofron instrumenta që konsumatorët të bëjnë zgjedhje të informuara në internet, i thotë DW Marija Gabriel, Komisare e Ekonomisë Digjitale dhe Shoqërisë e BE.
Komisarja e Ekonomisë Digjitale dhe Shoqërisë e BE, Marija Gabriel deklaroi se Ballkani Perëndimor është një prioritetet e punës së saj në Komisionin Evropian. Në intervistën që i dha Adelheid Feilcke-s, Drejtuese e Departamentit të Evropës në DW, Gabriel tha se Ballkani Perëndimor u përfshi në samitin BE-Ballkan në Sofje në strategjinë e Agjendës Digjitale të BE. Deklaratën përkatëse për këtë e nënshkruan në Sofje të gjashtë kryeministrat dhe presidentët e pranishëm në samit.
Për dy javë, i tha Gabriel DW, do të startojë zyrtarisht programi i Agjendës Digjitale të BE për Ballkanin Perëndimor.
“Ai përfshin veprime të ndryshme për kompetencat digjitale, sigurinë kibernetike, më shumë trajnime dhe njohuri mediatike, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për përdoruesit dhe konsumatorët e rajonit”, tha Komisarja e BE.
“Prandaj do të ishte shumë e rëndësishme që të ndërmerren disa veprime, për ta prekur këtë çështje të informimit online”. Marija Gabriel theksoi më tej se qëllimi i programit nuk është që t’u imponohen njerëzve pikëpamje të caktuara, por “që t’u jepen njerëzve tanë disa instrumenta që të bëjnë zgjedhje të informuara në internet”.
Marija Gabriel është e ftuar e posaçme në Global Media Forum, që zhvillon punimet në Bonn, nga 11-13.06.2018.