Numri i kinezëve ra vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 1961, një moment historik që shënon fillimin e asaj që ka të ngjarë të jetë një periudhë e gjatë e rënies së popullsisë kineze që mund të bëjë që India të bëhet vendi më i populluar në botë në vitin 2023.
Kina kishte një popullsi prej 1.41175 miliardë banorësh në fund të 2022 krahasuar me 1.41260 miliardë një vit më parë, njoftoi Byroja Kombëtare e Statistikave. Shkalla e lindjeve ishte 6,77 të porsalindur për 1000 njerëz, nga 7,52 në 2021. Kjo është shkalla më e ulët e lindjeve ndonjëherë.
Kina gjithashtu kishte shkallën e saj më të lartë të vdekjeve që nga viti 1976 – 7.37 vdekje për 1000 njerëz krahasuar me 7.18 në 2021. Në terma afatgjatë, ekspertët e OKB-së parashikojnë se numri i kinezëve do të bjerë me 109 milionë deri në vitin 2050, tre herë më shumë se parashikimi i 2019-ës.
Rënia demografike është kryesisht rezultat i politikës së Kinës për një fëmijë nga viti 1980 deri në 2015, si dhe kostos së madhe të arsimit, e cila ka lënë shumë kinezë me vetëm një ose asnjë fëmijë. Demografët vendas besojnë se Kina do të plaket para se të bëhet e pasur, duke çuar në një ngadalësim të ekonomisë me rënien e të ardhurave dhe një rritje të borxhit publik për shkak të rritjes së kostove të kujdesit për qytetarët e moshuar.
Masat e rrepta kundër Covid-19 që ishin në fuqi prej tre vitesh dhe më pas relaksimi i papritur që mbushi spitalet kontribuan më tej në rënien demografike, thonë ekspertët. Edhe pse autoritetet vendore prezantuan masa në vitin 2021 për të motivuar njerëzit që të kenë më shumë fëmijë, duke përfshirë lehtësirat tatimore, pushimet më të gjata të lehonisë dhe subvencionet për strehimin, këto masa nuk pritet të ndryshojnë trendin në terma afatgjatë./FolDrejt/