Ushtrimi ndërmjet orës 8 dhe 11 të mëngjesit është i lidhur me rrezikun më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, sipas një studimi të ri me më shumë se 86,000 pjesëmarrës.
Krahasuar me individët që ishin më aktivë në mes të ditës, ata që ishin më aktivë në mëngjes ndërmjet orës tetë dhe 11 të mëngjesit kishin një rrezik 11 deri në 16 për qind më të ulët për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës. Te femrat rreziku ulet me 22 deri në 24 për qind.
Një rrezik 17 për qind më i ulët i zhvillimit të një goditjeje u vu re tek ushtruesit e mëngjesit, dhe tek gratë kjo përqindje ishte 35 për qind.
Rezultatet u publikuan në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese.
“Dihet mirë se stërvitja është e mirë për zemrën dhe studimi ynë tregon se aktiviteti i mëngjesit është më i dobishëm për këtë”, tha një nga autorët e studimit, Gali Albalak nga Qendra Universitare Mjekësore në Leiden, Holandë.
ajo shtoi se “rezultatet janë veçanërisht të theksuara në mesin e grave dhe vlejnë si për ata që zgjohen herët ashtu edhe për zogjtë e natës.”
Të gjithë pjesëmarrësit në studim, 86,000 prej tyre, ishin midis 42 dhe 78 vjeç. Mesatarja ishte 62 vjet. Në fillim të hulumtimit, ata nuk vuanin nga sëmundje kardiovaskulare, por ishin mesatarisht obezë.
Aktiviteti i tyre fizik u gjurmua çdo ditë nga shkurti 2013 deri në 2015 duke përdorur një monitor të dorës.
Shkencëtarët më pas i ndoqën ata për gjashtë deri në tetë vjet, deri në shtrimin e tyre të parë në spital ose vdekjen e lidhur me sëmundjet e zemrës ose goditjen në tru.
Gjatë asaj periudhe, gati 3000 pjesëmarrës zhvilluan sëmundje të arterieve koronare dhe gati 800 pësuan një goditje në tru. Subjektet që ishin fizikisht aktivë ndërmjet orës tetë dhe 11 të mëngjesit kishin rrezikun më të ulët të të dyja gjendjeve, tregoi studimi.
“Ky është një studim vëzhgues, ndaj nuk mund të shpjegojmë pse kjo lidhje është më e theksuar tek femrat”, tha Albalak.
Ajo gjithashtu tha se rezultatet e hulumtimit të tyre janë dëshmi të mëtejshme të përfitimeve shëndetësore të aktivitetit fizik dhe tregojnë se aktiviteti i mëngjesit, veçanërisht nëse kryhet vonë në mëngjes, është më i dobishëm”.
Mjekët rekomandojnë që të rriturit të ushtrohen në mënyrë të moderuar për 150 deri në 300 minuta në javë, ose 75 deri në 150 minuta nëse e bëjnë më energjikisht./FolDrejt/