Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se e ka emëruar drejtoreshë për Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës, Donjeta Dragushën.
Ai ka thënë se Dragusha do të angazhohet për ta zhvilluar bujqësinë dhe turizmin rural, që sipas tij kanë potencial për agroturizëm.
“Me shkollimin e saj në fushën e ekonomisë, përvojën në udhëheqjen e institucioneve të ndryshme financiare dhe pozitën e këshilltares për ekonomi në institucione publike, jam i bindur se do ta shndërrojë këtë sektor në një burim të qëndrueshëm ekonomik”, ka shkruar Rama.
Ai e ka falënderuar ish-drejtorin e Bujqësisë, Plator Gërdovcin që ditë më parë u lirua nga detyra.
Rama të martën njoftoi edhe për emërimin e Sibel Halimit në pozitën e drejtoreshës së Kulturës.