Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me zëvendësin e tij, Hysen Durmishin dhe kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin sot kanë prezantuar në Podujevë projektin e kompletuar të rrugës Prishtinë-Podujevë, shkruan Fol Drejt.
Aliu e quajti këtë projekt si një prej projekteve më të rëndësishme në infrastrukturën rrugore për vitin që sapo ka nisur.
“Me gjithë vështirësitë që 2022 solli, ja dolëm që të avancojmë duke përfunduar elaboratin e shpronësimit, disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT, duke siguruar kështu plot 38 milionë euro për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë, e që besojmë e shpresojmë se do ta përfundojmë brenda mandatit qeverisës”, shkroi ministri në Facebook.
Ai theksoi se rruga Prishtinë-Podujevë, do të transformohet rrënjësisht, duke përmirësuar dhe rritur ndjeshëm parametrat e sigurisë rrugore për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë dhe mbi të gjitha të përballojë fluksin e shtuar të lëvizjes në këtë aks rrugor.
“Bashkë me MPB-në, përkitazi Policinë e Kosovës, jemi në gatishmëri për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë, pavarësisht problemeve që i hasim deri në fillimin e punimeve në këtë aks rrugor. Lusim qytetarët për maturi, kujdes dhe respektim të rregullave të komunikacionit në mënyrë që të shmangim aksidentet me fatalitet”, përfundoi njoftimin e tij ministri Aliu. /FolDrejt/