Me anë të një deklarate për mediat, Policia e Shqipërisë bën të ditur se shtetasi “Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”.
Më tej në deklaratë thuhet se në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. “Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, mbyllet njoftimi i policisë.
Ndërkohë, në deklaratë nuk bëhet e ditur se kur dhe nga ku Gruevski është futur në Shqipëri. Sipas informacioneve jo-zyrtare Gruevski ka hyrë në Shqipëri përmes Xhepishtë-Trebishtë. Edhe pse policia maqedonase për “Foldrejt” refuzoi të jap sqarime rreth largimit të Gruevskit përmes kësaj pike kufitare.
“Jemi duke punuar, për ta gjetur se nga ku është larguar,” tha një polic që punon në pikën kufitare Xhepishtë-Trebishtë për foldrejt.com.