Rusia ka ndjekur një strategji shkatërrimi dhe terrori, por ukrainasit po rezistojnë. BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën duke e furnizuar me pajisjet e nevojshme ushtarake, përfshirë tanket, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Rusia ka ndjekur një strategji shkatërrimi dhe terrori në Ukrainë. Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj strategjie në Bakhmut, në Soledar ose, së fundmi, në Dnipro. Por ukrainasit po rezistojnë dhe ata do të vazhdojnë të rezistojnë. Dhe ne, Bashkimi Evropian, do të vazhdojmë t’i mbështesim ata për aq kohë sa të duhet. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë ushtarake. Ka ardhur koha. Ata kanë nevojë urgjente për më shumë pajisje [ushtarake] dhe unë personalisht jam në favor për furnizimin e Ukrainës me tanke”, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në takimin e Parlamentit Evropian për rezultatin e Këshillit Evropian.
Ai vuri në dukje se liderët e BE-së miratuan një program ndihme makro-financiare prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën dhe rritën presionin ndaj Kremlinit duke miratuar paketën e 9-të të sanksioneve.
“Ne po rrisim gjithashtu ndihmën tonë materiale, veçanërisht për të ndihmuar ukrainasit të kalojnë këtë dimër, ndërsa Rusia vazhdon të shkatërrojë infrastrukturën kritike. Ne dërguam rreth 80,000 ton materiale të ndryshme, duke përfshirë gjeneratorë, kaldaja dhe transformatorë. Shumica e ndihmve vijnë nga shtetet anëtare të BE-së, të cilat tashmë kanë ndarë rreth 50 miliardë euro për Ukrainën. Sipas të dhënave të Eurobarometrit, qytetarët evropianë mbështesin përpjekje të tilla. Qytetarët tanë e dinë se të mbështesësh Ukrainën do të thotë të mbështesësh paqen, demokracinë dhe rendin ndërkombëtar”, theksoi Presidenti i Këshillit Evropian.
Siç raportohet, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, BE-ja i ka ofruar Ukrainës ndihmë kuptimplote politike, ekonomike, financiare, humanitare dhe të sigurisë. Në veçanti, gjatë vitit të kaluar, BE-ja ndau 19 miliardë euro ndihmë për Ukrainën. Më 17 janar, Komisioni Evropian transferoi 3 miliardë eurot e para nga paketa e ndihmës makro-financiare në Ukrainë për vitin 2023, në total 18 miliardë euro. /FolDrejt/