Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, deklaroi se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën duke dorëzuar tanket Leopard dhe u kërkoi vendeve të tjera që të ndërmarrin të njëjtat hapa.
Në një deklaratë në qytetin Rzeszow të Polonisë në kufi me Ukrainën, Duda tha se “Si një pjesë e koalicionit ndërkombëtar jemi të gatshëm t‘i dorëzojmë Ukrainës një njësi të përbërë nga tanket Leopard. Do të tregojmë përpjekje që ky koalicion të përbëhet nga një sërë vendesh që do të sigurojnë më shumë tanke”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Duda theksoi se dëshirojnë që armët në standardet e NATO-s të formojnë një mur kundër “agresionit rus”.
“Takimi ynë sot në Lviv ishte shumë i rëndësishëm. Me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, biseduam për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe sigurinë e Evropës”, tha Duda.
Duke u shprehur se NATO do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ofruar garanci sigurie ndaj Ukrainës, Duda shtoi se në Lviv vizituan varret e ushtarëve që kanë humbur jetën në luftë.
Presidentët e Polonisë, Lituanisë dhe Ukrainës në kuadër të “trekëndëshit të Lublinit” u takuan në qytetin Lviv të Ukrainës dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët.
Në një deklaratë të bërë këtu Duda theksoi se “Polonia, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar ka vendosur që t‘i dorëzojë Ukrainës një njësi të tankeve Leopard”./FolDrejt/