Pas takimit me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një deklaratë lidhur me ngjarjet aktuale në Kosovë. Ajo ka përmendur sulmin në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.
Osmani shprehu falënderim ndaj NATO-s për mbështetjen që ka ofruar gjithmonë ndaj Kosovës dhe theksoi se paqja në rajon po vazhdon të cënohet nga veprimet e Serbisë. Duke përmendur sulmin në Banjskë, ajo shprehu indinjatën ndaj aktit të dhunshëm ndaj Republikës së Kosovës.
“Populli dhe institucionet e Kosovës janë falënderues ndaj NATO’s gjithmonë. Paqja është cënuar dhe vazhdon të cenohet nga ana e Serbisë. Nga sulmi i fundit në Banjskë u vra një polic. Ishte akt agresioni ndaj Republikës sonë. Serbia qëndron prapa këtij sulmi. Në mënyrë që mos të lejohet përsëritja e një akti të tillë duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë. Në vend se të ekstradojë terroristët ajo i ka rehatuar ata”, theksoi presidentja.
Osmani shtoi se nëse Serbia nuk merr masat e nevojshme dhe nuk përballet me përgjegjësinë për veprimet e saj, ka rrezik që rajoni të destabilizohet sërish.
“Serbia mbetet një kërcënim për paqen dhe stabilitetin tonë. Policia dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë janë të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me KFOR’in. Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët në anën tjetër. Anëtarësimi i plotë i Kosovës në NATO është garanci për sigurinë në rajon”, përfundoi ajo.