Nuk bëhet fjalë për “betonin” ose “arkitekturën”, media zvicerane e ka për cilësinë e arsimimit në Kosovë dhe konkretisht bazohet në vlerësimet dhe garat e organizuara nga “Pisa”, ku nxënësit kosovarë rënditen në fund të listës.
“Në dokumenta duket shumë premtues. Kosova nga ky vit do ketë planprograme tjera mësimore, që mund të përdoreshin në çdo vend tjetër në Europë. Megjithatë realiteti nuk duket shumë premtues: librat me këto planprograme njëherë duhet të porositen dhe të printohen,” shkruan media më e madhe zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, përcjell foldrejt.com.
Më tej media zvicerane ka marrë në intervistë drejtorin e shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë, Liridon Maliqi. Përkundër zhgënjimit nga rezultatet e “Pisa”, Maliqi këtë e sheh si mundësi që organet kompetente ta marrin më me përgjegjësi dhe pse jo, pas dhjetë vitesh “nxënësit e Kosovës të krahasohen me ata të Gjermanisë”.
Por jo të gjithë janë kaq optimistë. Udhëheqësi i shoqatës jo-qeveritare Kosova Education Center, Dukagjin Pupovci, thotë “shkollat në Kosovë kanë një problem cilësie”. Ai vetë ka qenë profesor i matematikës në Universitetin e Prishtinës. Ai konkretisht e ka fjalën për cilësinë e mësimdhënësve dhe planprogrameve.
“Unë nuk njoh ndonjë mësues/e që është përjashtuar nga puna për shkak të pa përgatitjes profesionale. Më së shumti mund të ndodhë mbase, kur është kundër linjës politike të kryebashkiakut.”
Ngjashëm vlen edhe për profesorët universitarë, ku sipas një ojq-je lokale Orca, 72 përqind e profesorëve universitarë nuk përmbushin kriteret minimale për rangun e tyre akademik. Kështu vlen edhe për rektorin e tanishëm të Universitetit të Prishtinës.
Një sistem i varur
Ngjashëm ka folur edhe ministri i arsimit Shyqyri Bytyqi (NISMA), i cili pranon se “sistemi arsimor nuk është i mirë”. Përkeqësimi ka ardhur edhe gjatë mandatit të udhëheqjes së PDK, e cila ka zgjeruar universitetet në shumë krahina kosovare, pavarësisht se nuk janë plotësuar kushtet e kuadrove akademikë. Bytyqi ka shtuar se duhet që drejtorët e shkollave fillore të mos përcaktohen nga kryetarët e komunave, por nga një komision ekspertësh.
“Unë jam i gatshëm ti ndryshoj gjërat, edhe nëse do ketë pasoja personale për mua,” tha më tej Bytyqi”, përcjell foldrejt.com.