Paraditen e të mërkurës, më 15 mars 2023, në ambientet e bibliotekës publike të qytetit, Myftinia Shkodër në bashkëpunim më Institutin e Qytetërimit dhe Mendimit Islam (AIITC), në prag të muajit të begatë të Ramazanit, zhvilloi një veprimtari prezantuese të librit: “Politikat Publike përtej jurisprudencës tradicionale një qasje mekasid”, të autores Basma I. Abdelgafar.
Libri u prezantua në praninë e autoriteteve fetare dhe civile, imamëve, të rinjve, studentëve dhe disa maturanteve të medresesë së Shkodrës.
Pas hapjes dhe prezantimit të autores së librit, nga teologu Arben Halluni, fjalën përshëndetëse e mbajti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili fillimisht falënderoi Institutin AIITC për bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti kulturor të veçantë, më një libër të veçantë, nga një autore e veçantë, e cila sjell për lexuesit një hapësire të re studimi të Islamit, duke u përpjekur të trajtojë fushën e politikave publike nga qasja mekasid.
Ndërsa, teologu Lavdrim Hamja, u ndal në disa artikuj dhe shkrime interesante dhe të vlefshme për të gjithë, sidomos tek temat: Përcaktimi i dobive dhe i dëmeve, Politikat Publike në Islam/Shteti I Disiplinës, Mbrojtja e Domosdoshmërive në Islam (Feja, Jeta, Mendja, Trashëgimia Njerëzore dhe Pasuria).
Një kumtesë të shkurtër pati edhe përkthyesi i librit, z. Astrit Hykaj, i cili solli në vëmendje momente të rëndësishme të lidhura me përkthimin, por edhe kënaqësinë e tij për të përkthyer një libër me vlera dhe shumë aktuale për jetën njerëzore publike, e cila përballet me padrejtësi të ndryshme ekonomike, sociale, etj.
Në fund të aktivitetit, të pranishmëve iu dhurua libri: “Politikat Publike përtej jurisprudencës tradicionale një qasje mekasid”./FolDrejt/