Institucionet e Kosovës duhet të punojnë edhe më tepër për prodhimtarinë e qumështit, në mënyrë që këtij sektori t’i sigurohet një konkurrencë e barabartë dhe e mirëfilltë.
Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha në konferencën “Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë”, i cili shtoi se ka mjaft probleme në këtë sektor.
Ai ka thënë se në kuadër të këtij projekti të mbështetur nga Qeveria holandeze, do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit dhe do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë.
Sipas Berishës, ata si shoqatë do të kenë një përgatitje profesionale për aftësim të fermerëve në prodhimtarinë e tyre për tregun vendor dhe atë evropian.
“Pas trajnimit këta këshilltarë gjatë dy viteve në vijim do të merren me trajnimin e fermerëve me temat për të cilat atë janë trajnuar në Holandë, ku do të merren kryesisht me problemet dhe pikat kritike të cilat fermerët i kanë në pikat e tyre rreth prodhimit të qumështit, të menaxhimit të fermave dhe problemeve të tjera të cilat paraqiten në vazhdimësi. Ky projekt njëkohësisht do të kontribuoj edhe në ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve të shoqatës prodhues të qumështit, të cilët do të trajnohen, por njëkohësisht edhe për rritjen e profitabilitetit të fermerëve në rastin e prodhimit të qumështit dhe kulturave të tjera”, theksoi Berisha.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke treguar për rëndësinë e këtij programi për industrinë e qumështit në Kosovë, theksoi se Holanda ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë dhe se Holanda duhet të jetë model edhe për Kosovën, sepse sipas saj, në Kosovë ka prodhimtari të vogël të qumështit.
“Qëllimi është që të rritet produktiviteti për fermerët, prodhues të qumështit dhe të ngritin cilësinë e tyre. Ky projekt do t’i ndihmoj edhe prodhuesit për arritjen e standardeve të bashkimit evropian në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Prodhimi i qumështit në Kosovë karakterizohet nga një efikasitet i vogël dhe i dobët, ku për momentin prodhimi për krerë 5.7 litra, që është mesatare e vogël, krahasuar me 23 litra që është në Evropë. Pra, gjatë kësaj kohe të trajnimit që do të zgjatë dy vjet do të kontribuoj me shkëmbimin e madh të ekspertizës dhe njohurive në mes të ekspertëve të prodhimit të qumështit nga Kosova e Holanda. 400 anëtarë apo fermerë do të trajnohen nga këshilltarët që do të vijnë nga Holanda”, ka thënë Willems.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi me këtë rast tha sektori i qumështit konsiderohet me rëndësi strategjike për ekonominë e Kosovës, si dhe është prioritet i politikave zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë.
“Në këto dy vite, me këtë projekt do të ketë impakt në rritjen e produktivitetit të qumështit dhe të cilësisë në 20 vjetët e ardhshme. Për këtë e inkurajoj shoqatën por gjithashtu falënderojë edhe Qeverinë holandeze për këtë iniciativë, e cila do të jetë e një rëndësie të veçantë për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës përmes këtij sektori”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci tha se kjo agjenci ka mbështetur këtë sektor në mënyra ta ndryshme për mbrojtjen e shëndetit dhe në realizimin e analizave për përcaktimin e klasës së qumështit.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në kuadër të mbështetjes së sektorit të blegtorisë ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi këtë sektor përmes programit të monitorimit të sëmundjeve të kafshëve, duke filluar me pjesën e vaksinimit të mbi 200 mijë gjedheve të cilat janë në vendin tonë, monitorimin e sëmundjeve të ndryshme të cilat janë me interes për konsumatorin dhe për mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve të vendit dhe ajo çka është e rëndësishme është realizimi i analizave dhe përcaktimi i klasës së qumështit. Kështu që në kuadër të saj, sektori i qumështit përmes neve si institucion mbështet me analizimin e mbi 20 mijë mostrave të qumështit, ku në bazë të saj realizohet dhe pagesa nga Ministria e Bujqësisë”, tha Gjinovci.
Ndryshe, ambasadorja bëri me dije se Holanda ka një traditë të gjatë dhe ekspertizë, si dhe është në vendin e parë në botë për prodhimtarinë e qumështit, me rreth 4 milionë litra në vit.